I themeluar në vitin 2013, Instituti i Lidershipit, vjen si imperativ i kohës që synon të përmbushi një boshllëk në literaturë, studime, kualifikime dhe investime serioze në këtë fushë. Ai projektohet si një institucion kërkimor, trajnues dhe këshillimor në kuptimin më të gjerë të çështjeve të lidershipit dhe vendimmarrjes publike.

Përgjatë dy viteve kjo iniciativë ka marrë një mbështetje në rritje. Përpjekja e një rrethi të ngushtë bashkëpunëtorësh është kthyer tashmë në një projekt sa kombëtar dhe ndërkombëtar me partnerë të shumtë brenda dhe jashtë vendit. Për një periudhë të shkurtër seminaret, trajnimet dhe leksionet e hapura të lidershipit janë ndjekur nga rreth 800 pjesëmarrës nga bota studentore, e biznesit, e partive politike dhe organizatave jo-fitimprurëse. Ka marrë jetë për herë të parë një edukim ekzekutiv cilësor, me studime të strukturuara të fushës, që do harmonizojnë traditën tonëme risitë perëndimore në praktikën dhe teorinë e lidershipit. Janë sjellë për herë të parë në shqip disa nga autorët më të shquar të lidershipit dhe janë hedhur hapat e parë drejt punimeve të para kërkimore të fushës në hapësirën shqiptare.